Prishtinë, 15 shkurt 2017 – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) publikoi sot raportin me të gjeturat nga hulumtimi 3-mujor i drejtuesve të Universitetit të Prishtinës.

Rezultatet kryesore të këtij hulumtimi tregojnë se rreth gjysma e drejtuesve të UP-së (49% e rasteve të analizuara) nuk i justifikojnë titujt akademikë që mbajnë, nëse dispozitat në fuqi do të zbatoheshin në rastet e tyre, dhe nëse nuk u njihen si të vlefshme punimet në revista të dyshimta.

Gjithashtu, 39% e profesorëve të shqyrtuar që mbajnë pozita drejtuese, kanë të paktën nga një punim shkencor të publikuar në revista të dyshimta.

Por edhe nëse u njihen si të vlefshme punimet në revista të dyshimta, sërish, 42% e drejtuesve të UP-së nuk i justifikojnë titujt e tyre akademikë.

Në total u morën në shqyrtim 61 profesorë sipas posteve: rektor, prorektorë, dekanë, prodekanë, senatorë dhe anëtarë të Këshillit Drejtues.

Metodologjia e përdorur nga ORCA për verifikimin e titujve akademikë të drejtuesve të universitetit, u mbështet mbi Statutin e UP (Nenet 174-177), Rregullorja për zgjedhjen dhe avancimin e personelit akademik dhe Rekomandimin e Senatit të UP-së për avancimet.

Për këtë hulumtim, ORCA analizoi CV-të zyrtare të publikuara në uebfaqen e UP-së apo të dërguara nga vetë profesorët e shqyrtuar.

Disa ndër drejtuesit e UP-së që paraqitën probleme më të mëdha në justifikimin e titujve të tyre akademikë, janë rektori Marjan Dema dhe dekanët Bujar Dugolli dhe But Dedaj.

Ndërkaq, ndër drejtuesit e UP-së me merita të veçanta akademike, rezultojnë prorektori Naser Sahiti dhe prodekanët Kreshnik Hoti dhe Albulena Blakaj.

Në takim morën pjesë edhe deputetja Shukrie Bytyqi dhe deputeti Ismajl Kurteshi nga Komisioni për Arsim i Kuvendit të Kosovës. Deputetët ndanë shqetësimet et tyre për situatën akademike në UP dhe shprehën mbështetjen e tyre duke theksuar se kjo çështje duhet të diskutohet në komision dhe në Kuvend.