Organizatat e poshtëshënuara shprehin shqetësimin e thellë lidhur me integritetin akademik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP). Që prej vitit 2014 kur me angazhimin e studentëve në veçanti dhe organizatave të shoqërisë civile, medieve dhe qytetarëve të Kosovës, u vu vija e kuqe për sa i përket shpërdorimit akademik në UP, me ç’rast u dorëhoq rektori i atëhershëm Ibrahim Gashi, mund të konstatohet se gjendja në UP nuk ka ndryshuar shumë.

Prej atëherë, mund të thuhet se UP ka kaluar nëpër kriza të natyrave të ndryshme, mirëpo me theks të veçantë ka ngecur në përmirësimin e praktikave dhe mekanizmave për kontroll profesional të marrjes së titujve akademikë.

Menaxhmenti aktual pretendon se po vazhdon t’i kryejë procedurat e rregullta dhe zbatimin e kritereve për avancim akademik përmes zgjedhjes së mësimdhënësve në lëndë të ndryshme në të gjitha njësitë akademike të UP-së. Megjithatë, organizata dhe medie të ndryshme kanë ngritur shqetësimet për shpërdorime në disa raste, të cilat kanë ngritur edhe njëherë në debat publik integritetin akademik të UP-së.

Raste të avancimeve të javëve të kaluara si dhe ato të vitit të kaluar, kanë ngritur dyshime te publiku për shpërdorim detyrash e poashtu shqetësimin për shkeljen e Statutit të UP-së dhe rregulloreve të tjera në fuqi.

Të poshtëshënuarit janë në dijeni të faktit që shpejt në Kuvendin e Kosovës do të kalojë Projektligji për Arsimin e Lartë në Kosovë, për të cilin janë dhënë vërejtje në aspekte të caktuara të neneve që rregullojnë çështjen e titujve akademikë, të cilët kanë ndryshuar pas përfundimit të draftit nga ekspertët dhe pas përfundimit të debateve publike rreth këtij projektligji.

Organizatat e poshtëshënuara i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të marrë parasysh vërejtjet e dhëna dhe të rrisë nivelin e transparencës në konsultime publike me organizatat e shqërisë civile.

Organizatat e poshtshënuara i bëjnë thirrje Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që përmes të deleguarve të vet në Këshillin Drejtues të UP-së, të insistojë në zbatimin e plotë të Statutit të UP-së, ligjit për arsimin e lartë dhe rregulloreve të tjera të zbatueshme në UP.

Të poshtëshënuarit i bëjnë thirrje Këshillit Drejtues të UP-së, si organi më i lartë vendimmarrës në UP, si dhe Senatit të UP-së, si organi më i lartë vendimmarrës për çështje akademike në UP, të angazhohen në ndalimin e praktikave të shkeljes së Statutit të UP-së dhe rregulloreve të tjera në fuqi me rastin e dhënies së titujve akademikë për personelin akademik të UP-së. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Këshillit Drejtues dhe Senatit të UP-së që ta rrisin transparencën në raport me  publikun e gjerë, duke lejuar që mbledhjet e këtyre organeve të jenë të hapura për individët, organizatat dhe mediat që merren me monitorimin dhe transparencën e institucioneve shkencore akademike .

Në anën tjetër ne zotohemi për vigjilencë të shtuar në këtë fushë, dhe në rast të përkeqësimit të situatës, zotohemi për kryerjen e funksionit tonë si organizata të shoqërisë civile në lehtësimin e aktiviteteve qytetare siç ka ndodhur më parë.

 

Urime 7 Marsi, dita e mësuesit!

 

Lista e organizatave:

Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)

Instituti ATOMI

NGO INTEGRA

Çohu!

Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur KFOS

(SKV) Lëvizja Studentore për Barazi – STUDIM KRITIKË VEPRIM

(ORCA) Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim

Qendra për zhvillimin e grupeve shoqerore – CSGD

Hëna e Kuqe e Kosovës – Gjilan

OJQ Gjeomjedisi

Instituti per Avancimin e Edukimit dhe Arsimimit