ORCA ka monitoruar seancën ku Senati ka vendosur rreth angazhimit të profesorëve asistentë në Universitetin e Prishtinës.

Në analizat paraprake të ORCA-s janë identifikuar 21 raste të rekomanduara pozitivisht nga komisionet vlerësuese dhe këshillet e fakulteteve të ndryshme, por të cilat nuk i përmbushin kriteret e Statutit të Universitetit të Prishtinës. Këto rezultate u janë dërguar të detajuara senatorëve. Poashtu në vlerësimet e veta Komisioni i Studimeve në kuadër të Senatit të UP-së ka nxjerrë përfundime të ngjashme. Në këtë situatë senatorët sot kanë vendosur që të gjitha këto raste diskutabile t’i shtyjnë për një seancë tjetër me qëllim të sqarimit tësituatës për secilin prej tyre dhe marrjes së një vendimi në përputhje me Statutin dhe rregullat tjera.

ORCA e sheh këtë hap si pozitiv krahasuar me praktikën e deritashme të Senatit i cili ka marrë disa vendime të kontestueshme dhe të cilat po hetohen nga organet gjegjëse të shtetit.ORCA lavdëron nivelin në të cilin sot kanë qenë anëtarët e Senatit dhe menaxhmentit të UP-së të cilët kanë luajtur një rol konstruktiv në favor të cilësisë në Universitetin e Prishtinës dhe në procesin e avancimeve në përgjithësi.

ORCA është e shqetësuar për rolin negativ të disa senatorëve përfshirë këtu dekanen e Fakultetit të Filologjisë znj. Lindita Rugova dhe dekanit të Fakultetit Filozofik zt. Bujar Dugolli të cilët kanë përdorur gjuhë shantazhuese dhe kërcënuese për menaxhmentin dhe universitetin në tërësi. Ata madje kanë lëshuar seancën pas mosmiratimit të propozimeve të tyre për të vazhduar me trajtimin e të gjitha rasteve. ORCA konsideron se propozimet e tyre konsistojnë në propozime për shkeljen e Statutit të UP-së dhe ligjeve në fuqi.

ORCA i bënë thirrje senatorëve që të mos u nënshtrohen interesave klanore, ta jetësojnë çdo pikë të Statutit të UP-së dhe që përfundimisht në mbledhjet e radhës t’i refuzojnë të gjithë kandidatët të cilët nuk i përmbushin kriteret.

Me këtë rast rikujtojmë se presioni publik dhe puna hulumtuese e medieve, organizatave të shoqërisë civile dhe organizatave studentore po jep rezultate të rëndësishme për shoqërinë tonë. Konsiderojmë se tani është rritur nevoja për angazhim dhe vigjilencë të shtuar të këtyre grupeve për të mos e lënë UP-në të rrëshqasë drejt humnerës përsëri.