Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka dorëzuar të hënën në Ministrinë e Arsimit në Prishtinë, ankesën kundër avancimit të njëmbëdhjetë profesorëve të asocuar të cilët nuk i kanë përmbushur kriteret për t’u përzgjedhur në pozitat e tyre të punës.

Rron Gjinovci, përfaqësues i ORCA-së tha se autonomia e Universitetit të Prishtinës ka të bëjë me lirinë akademike, përcaktimin e programeve në bazë të parimeve të ndryshme shkencore dhe akademike.

Sipas tij, Universiteti i Prishtinës dhe as Senati i tij nuk kanë autonomi kur vjen puna në shkeljet e statutit dhe ligjeve të Republikës.

Ai tha se kur shkelen ligjet, shkelet edhe statuti dhe në këtë rast është Ministria e Arsimit ajo që duhet të veprojë nëpërmjet mekanizmave të saj.

“Unë konsideroj që inspektorati duhet të riktheje të 11-të vendimet që janë marrë për rizgjedhje siç është thënë në Senatin e Universitetit të Prishtinës dhe ato duhet të rikthehen dhe në këtë mënyrë të ndërpritet precedenti i rizgjedhjeve që është jashtëstatutar dhe jashtëligjor e me të cilin është operu me vite të tëra në Universitetin e Prishtinës”, tha ai.

Sipas Gjinovcit, ORCA ka konstatuar se Universiteti i Prishtinës po zgjedhë mënyra të gabuara në përzgjedhjen e stafit akademik, pasi që këta të fundit shpeshherë nuk po i përmbushin kriteret që parashihen në Statutin e Universitetit të Prishtinës.

“ORCA ka konstatuar që Senati i Universitetit të Prishtinës është duke e ndjek një praktikë të rrezikshme kundërligjore dhe kundërstatusore  të zgjedhjes së stafit akademik duke futë një koncept të ri që nuk është që nuk ekziston në statusin e Universitetit të Prishtinës e që është rizgjedhja. Përmes këtij koncepti dhe përmes kësaj fjale Senati në datën 15 maj 2017, ka marrë vendim për rizgjedhjen 11 profesorëve të asocuar pa i verifikuar fare punimet e tyre sipas konkursit në të cilin ata kanë apliku dhe sipas statutit të Universitetit të Prishtinës, rrjedhimisht Ligjit për Armimin e Lartë”, tha ai.

Më tej, Gjinovci tha se ORCA për ankesën që ka ngritur ka sjellë dëshmi siç janë materialet që iu janë ofruar senatorëve ditën e votimit nga komisioni i studimeve dhe po ashtu ka sjellë një analizë të detajuar për secilin rast.

Ndryshe, 11-të emrat e profesorëve të rizgjedhur nuk u bënë publik sot, pasi që ORCA dorëzoi ankesën në Ministri dhe po pret që Inspektorati i Punës të ndërmarrë masa.

Verifikimi i numrit të punimeve shkencore për këta kandidatë nga ORCA, tregon se këta kandidatë nuk përmbushin kriteret e vendosura nga Statuti I UP-së (nenet 175, 176 dhe 177), pasi që ata nuk kanë punime të mjaftueshme apo nuk kanë listuar punime të mjaftueshme për të arsyetuar gradën e tyre akademike në të cilën janë zgjedhur.

/Koha.net