Sot ka përfunduar procesi i avancimeve të profesorëve në Universitetin e Prishtinës nga konkursi i fundit. ORCA e ka përcjellë në vazhdimësi këtë proces dhe ka luajtur rol proaktiv në të duke i vënë hulumtimet e veta në shërbim të Senatit për vlerësimin e kandidatëve të paraqitur.

ORCA konsideron se është shënuar një numër i konsiderueshëm shkeljesh, të cilat janë paraqitur në Inspektoratin e Arsimit dhe një numër tjetër që po përgatiten për paraqitje në këtë institucion.

ORCA e sheh me optimizëm procesin në përgjithësi dhe konstaton se numri i shkeljeve është i vogël në krahasim me rekomandimet fillestare nga komisionet vlerësuese të fakulteteve dhe vendimeve të këshilleve të tyre. Kjo do të thotë se Senati i UP-së, me inicimin e menaxhmentit kanë vendosur në shumicën e rasteve duke zbatuar Statutin e UP-së për sa i përket pikës 1.2.1 të neneve 175, 176 dhe 177 të tij që përcakton numrin e punimeve dhe cilësinë e tyre lidhur me avancimet. ORCA e përshëndet këtë praktikë të re të Senatit dhe përpjekjes së senatorëve për rritje të cilësisë në UP.

Vlen të theksohet roli konstruktiv në këtë proces i Fakultetit të Edukimit dhe Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të cilat njësi nuk e kanë sfiduar asnjë rekomandim të Komisionit të Studimeve, i cili në masë të madhe ka trajtuar me korrektësi rastet. Po ashtu ORCA vlerëson lartë konstruktivitetin e treguar nga disa dekanë dhe senatorë të cilët gjatë mbledhjeve ku janë trajtuar rastet e avancimit të stafit akademik, kanë ngritur çështje me rëndësi të cilat kanë kontribuar që procesi në përgjithësi të dalë pozitiv. Kjo situatë përbënë një kthesë pozitive krahasuar praktikat e deritashme të avancimeve.

ORCA fton të gjitha njësitë akademike që të përkushtohen për rritjen e cilësisë dhe forcimin e kritereve në zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik dhe në të njëjtën kohë i falënderon ato për debatin e ngritur qoftë në Senat, qoftë në sferën publike, me ç’rast publiku kosovar i është nënshtruar një kapitulli të ri të transparencës dhe llogaridhënies mbi gjendjen në universitetin më të madh publik dhe cilësisë në arsimin e lartë.

ORCA do të vazhdojë ta monitorojë çdo proces avancimi në UP. ORCA është e hapur dhe fton në bashkëpunim të gjitha palët e interesuara me qëllim të forcimit të kritereve dhe zbatimit të dokumenteve në fuqi lidhur me gradat akademike në Universitetin e Prishtinës.

Ky grant është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), dhe me përkrahjen e projektit Sfidimi i Korrupcionit në Arsimin e Lartë i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Përmbajtja është përgjegjësi e ORCA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K-së, DANIDA-së, KCSF-së apo KFOS-it.