“E përgëzoj ORCA-n për raportin e saj ekzemplar dhe për misionin e rëndësishëm të kësaj organizate. Studentët në të gjithë botën do të përfitojnë nga ky informacion”. Kështu thotë profesori Jeffrey Beall, në një komunikim drejtuar Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Përmes këtij komunikimi Beall vlerëson raportin e hulumtimit të ORCA-s, “Integriteti Akademik i Drejtuesve të Universitetit të Prishtinës” [linku], i botuar në shkurt të këtij viti.

Jeffrey Beall është Profesor i Asocuar në Universitetin e Kolorados dhe nismëtar i një lëvizjeje globale për integritetin akademik përmes demaskimit të revistave grabitqare, të cilat pretendojnë se janë botime të mirëfillta shkencore.

“Universitetet kanë përgjegjësi për t’iu shmangur revistave grabitqare, ndërsa pozitat dhe avancimet akademike nuk duhet të bazohen mbi revista të tilla”, thotë Beall në vlerësimin e tij për hulumtimin e ORCA-s.

Në raportin e botuar në shkurt 2017, ORCA zbuloi për publikun se gjysma e stafit drejtues të Universitetit të Prishtinës nuk i plotësonin kushtet për të merituar titujt shkencorë që mbanin. Gjithashtu, një pjesë e madhe e tyre, rreth 40%, kanë të paktën nga një punim shkencor në revista të dyshimta, të cilat, Beall dhe studiues të tjerë i cilësojnë “grabitqare”.

Ai thekson se modeli për integritet akademik që ORCA ka zgjedhur duhet të shërbejë si shembull përtej Kosovës. “Shpresoj që ky raport të frymëzojë krijimin e organizatave si ORCA edhe në vende të tjera”, thotë Beall.

Pas një sërë hulumtimesh dhe një beteje publike disamujore nga ORCA, avancimet e fundit në Universitetin e Prishtinës u përmbyllën me një disiplinë akademike të përtërirë.  Pjesa dërrmuese e atyre profesorëve, për të cilët ORCA kishte vlerësuar se nuk përmbushin kushtet ligjore për titujt për të cilët kishin aplikuar, nuk u avancuan në pozita më të larta akademike.