Pasi është konstatuar se është me interes të veçantë publik zgjedhja e rektorit të universitetit publik të Pejës, ORCA ka verifikuar kandidatët për rektor në Universitetin e Pejës dhe ka ardhur në përfundimet e mëposhtme. ORCA ka verifikuar titujt akademikë të kandidatëve duke u bazuar në Statutin e UP-së (pasi kandidatët e verifikuar janë edhe profesorë në UP) dhe në Statutin e Universitetit të Pejës vetëm për sa i përket punimeve shkencore.

 

Për kandidatin Afrim Selimaj:

Kandidati Afrim Selimaj nuk ka CV publike. Më datë 6 korrik 2017 i është kërkuar CV në adresën zyrtare dhe i njejti nuk është përgjigjur fare.

Konstatim:
ORCA konstaton se është papërgjegjësi personale dhe insitutcionale mungesa e CV-së së një prorektori të një universiteti publik.

 

Kandidati Prof. Asoc. Fadil Millaku:

Kandidati Fadil Millaku te seksioni “revistat shkencore” nga CV-ja e tij ka listuar 37 publikime. Nga hulumtimi i ORCA-s del se vetëm 8 janë publikime në revista shkencore ndërkombëtare. Katër nga këto punime janë në revista që janë të listuara në lista të revistave të dyshimta. Në dy të tjera kandidati plotëson kushtet formale të  Statutit për zgjedhjen e profesorit të asocuar. Në dy të tjera, nuk është e qartë nëse kandidati është autor korrespondent pasi ai nuk është autor i parë. ORCA thekson se në seksionin “revista shkencore” të CV-së së kandidatit janë listuar gabimisht ose me qëllim 15 punime nga konferenca dhe simpoziume, të cilat nuk do duhej të ishin në këtë seksion. Po ashtu theksojmë se në CV-në e kandidatit ekziston seksioni për konferenca dhe simpoziume. 13 publikime të tjera janë në revista kombëtare ose rajonale të pa indeksuara në platforma serioze të indeksimit të revistave ndërkombëtare. Kandidati po ashtu ka të listuar një libër, që është e qartë që nuk do duhej të ishte në seksionin “revista shkencore”.

Konstatim:
Kandidati Fadil Millaku ka titullin Profesor i Asocuar në Universitetin e Prishtinës dhe në bazë të vlerësimit të ORCA, duke u bazuar në CV-në e publikuar në faqen e UP-së, nuk ka evidenca të mjaftueshme për të arsyetuar titullin akademik të kandidatit Millaku. 

 

Kandidati Prof. Rreg. Armand Krasniqi:

Kandidati Armand Krasniqi te seksioni “botime dhe revista ndërkombëtare” nga CV-ja e tij, ka listuar 49 publikime. Nga hulumtimi i ORCA-s del se 25 janë publikime në revista shkencore ndërkombëtare. Nga këto 25 publikime vetëm 6 plotësojnë kushtet formale të Statutit për zgjedhjen e profesorit të rregullt. 4 nga këto publikime janë të publikuara në revista të cilat ndodhen në lista të revistave të dyshimta, por në kohën kur janë publikuar revistat në fjalë kanë qenë të indeksuara në platforma të indeksimit të revistave ndërkombëtare; 19 të tjerat janë të publikuara në revista që janë të listuara në lista të revistave të dyshimta; 22 publikime tjera janë konferenca dhe kongrese që nuk do duhej të ishin të listuara në këtë seksion dhe 2 të tjera janë të listuara si “të tjera” nga vetë kandidati. Kandidati po ashtu ka seksione për punime të botuara në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, që nuk janë marrë parasysh në hulumtim sepse nuk janë punime shkencore në revista ndërkombëtare të indeksuara. Kandidati gjithashtu ka mentoruar një punim doktorature të kandidates Majlinda Belegu në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Konstatim: Kandidati Armand Krasniqi ka titullin Profesor i rregullt në Universitetin e Prishtinës dhe në bazë të vlerësimit të ORCA, duke u bazuar në CV-në e publikuar në faqen e UP-së, kandidati i plotëson kushtet formale për titullin Profesor i Rregullt. ORCA sqaron se katër punime që llogariten në përmbushjen e kushteve formale, janë të publikuara në revista që listohen në lista të revistave të dyshimta mirëpo njëkohësisht revistat në fjalë janë të indeksuara nga platforma për indeksimin e revistave SCOPUS.

 

Konstatim i ORCA-s për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Pejës

ORCA konstaton që të tre kandidatët për rektor të Universitetit të Pejës në forma të ndryshme kanë shkelur parimet universale të transparencës dhe etikës akademike. ORCA udhëzon organet përgjegjëse që të mos e zgjedhin asnjë nga kandidatët aktualë në pozitën e rektorit të Universitetit të Pejës.