ORCA sot ka dorëzuar ankesën e dytë për rastet e të ashtuquajturave “rizgjedhje”  nga procesi i fundit i avancimeve në Universitetin e Prishtinës. Me këtë rast, për medie janë prononcuar zëvendës drejtori i ORCA-s, Gramos Buçinca, dhe konsulentja ligjore e ORCA-s, Rina Kika. Ankesën mund ta lexoni këtu. Më poshtë mund të gjeni fjalët e përfaqësuesve të ORCA-s për medie.

Gramos Buçinca – zëvendës drejtor i ORCA

Në vazhdën e punës së saj të monitorimit të zgjedhjes së stafit të ri akademik në Universitetin e Prishtinës nga Senati i tij, ORCA ka dorëzuar sot një ankesë qe ka të bëjë me të ashtuquajturën “RIZGJEDHJE” në gradën e njejtë akademike me automatizëm dhe pa shqyrtim të plotësimit të kritereve përkatese. Në konsideratën e ORCA-s kjo përbën shkelje të Statutit të UP-së, Ligjit për Arsimin e Lartë dhe një numri tjetër të ligjeve të zbatueshme në Kosovë. ORCA do t’i shfrytezojë të gjitha mjetet ligjore e institucionale për t’i kundërshtuar avancimet e paligjshme. Poashtu ORCA do t’i përdorë të gjitha mjetet demokratike për ta mbrojtur interesin publik ndaj UP-së.

ORCA do të vazhdojë të merret me çështjet urgjente të arsimit të lartë në Kosovë, prej të cilit burojnë shumica e problemeve të arsimit dhe jo vetem në vendin tonë. Ne inkurajojme qytetarët që të ushtrojnë sa më shumë presion mbi institucionet publike të cilat u detyrohen atyre me llogaridhënie e transparencë. ORCA poashtu kërkon nga qeveria e ardhshme, që arsimin ta shohë si prioritet real e praktik, dhe jo simbolik siç e ka parë deri tash, dhe të zbatojë reforma të thella duke pasë parasysh specifikat e Kosoves dhe nevojat e qytetarëve të saj.

Rina Kika – Këshillëtare ligjore e ORCA

ORCA-s sot ka parashtruar ankese në lidhje me rizgjedhjen e kundërligjshme të 24 profesorëve. Gjithsej janë rizgjedhur 17 profesorë të asocuar dhe 7 profesorë asistentë të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara në nenin 176 dhe 177 të Statutit të Universitetit të UP-së.

Me rizgjedhjen e 24 profesorëve Senati i UP-së ka shpikur një proces të ri të emrimit i cili është në kundërshtim të plotë me Ligjin për Arsim të Lartë dhe me Statutin e UP-së.

Këta 24 kandidatë nuk i janë nënshtruar procesit të rregullt të vlerësimit ashtu siç parashihet me ligj, por janë rizgjedhur me automatizëm në pozitat e tyre pa i plotësuar kriteret themelore të parapara për titullin profesor asistent dhe profesor i asocuar.

Vendimi për rizgjedhjen e këtyre kandidatëve pëveç që është në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë dhe Statutin e UP-së, është në kundërshtim edhe me dipozitat e Ligjit të Punës për konkurse publike, nga se është diskriminues dhe nuk i ofron mundësi të barabarta kandidatëve të rinjë që synojnë të zgjedhen profesor asistent dhe profesor i asocuar.

Po ashtu, vlen të përmendet se gjatë përpilimit të ankesës kemi hasur në vështirësi në lidhje me transparencën institucionale të Senatit të Universitetit të Prishtinës. Kjo për shkak se Senati i UP-së nuk i publikon vendimet e marra gjatë mbledhjeve edhe pse është i obliguar ligjërisht që ta bëjë këtë. Mospublikimi i vendimeve e bën të vështirë paraqitjen e ankesave ndaj vendimeve të kundërligjshme.

 

Ankesa: http://orca-ks.org/wp-content/uploads/2017/07/Ankesa-ORCA.pdf

Ky grant është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), dhe me përkrahjen e projektit Sfidimi i Korrupcionit në Arsimin e Lartë i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Përmbajtja është përgjegjësi e ORCA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K-së, DANIDA-së, KCSF-së apo KFOS-it.