ORCA, gjatë muajve maj dhe korrik, ka proceduar në Inspektoratin e Arsimit në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dy ankesa lidhur me zgjedhjen e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës nga konkursi i fundit.

Në muajin maj, ORCA ka parashtruar ankesën e cila është protokolluar më datë 22.05.2017, me numër 305, lidhur me avancimin e stafit akademik, saktësisht lidhur me 11 raste të së ashtuquajturës “rizgjedhje” të profesorëve në pozitat e caktuara.

Në muajin korrik, ORCA parashtroi ankesën e dytë me 24 emra të tjerë më 13.07.2017, me numër 410, me të njëjtin kontest sikurse në ankesën e parë.

ORCA ka argumentuar në të dy ankesat se zgjedhja e 35 profesorëve në pozitat të cilat ata i kanë pasur përbën shkelje të Statutit të UP-së dhe Ligjit për Arsimin e Lartë, pasi për ta është marrë vendim për “rizgjedhje”, kategori e cila nuk gjendet as në Statutin e UP-së e as në Ligjin për Arsimin e Lartë.

Sot, ORCA është njoftuar nga Inspektorati i Arsimit se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka nisur procedurat formale për paditjen e Universitetit të Prishtinës dhe personave përgjegjës të tij pas refuzimit të universitetit për të kryer obligimin ligjor të bashkëpunimit me Inspektoratin e Arsimit lidhur me rastet e iniciuara nga ORCA.

Në shkresën e MAShT drejtuar gjykatës themelore, ndër të tjera konstatohet se “përkundër kërkesës ligjore përfaqësuesit e UP-së nuk kanë ofruar dokumentacionin e kërkuar pa dhënë asnjë shpjegim”. Në të njëjtën shkresë precizohet tutje se Sekretari i UP-së zt. Esat Kelmendi është njoftuar edhe “fizikisht me lëndën duke i ripërsëritur kërkesën për inspektim të Organizatës ORCA për të cilën ankesë Kelmendi tha se brenda afatit ligjor do t’i japim një përgjigje e në fakt nuk u dha edhe pas tejkalimit të afatit ligjor për shqyrtimin e ankesave”.

ORCA shpreh indinjatën e thellë ndaj Universitetit të Prishtinës, rektorit zt. Marjan Dema dhe sekretarit zt. Esat Kelmendi për neglizhencën e treguar dhe pret që brenda muajit të marrë sqarim me shkrim për këtë sjellje joserioze institucionale.

ORCA shpreson që kjo shpërfillje nuk përbën një rast personalizimi ngase një praktikë e tillë nuk është ndjekur nga UP në rastet e tjera të drejtuara nga Inspektorati i Arsimit.

ORCA zotohet që të drejtat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi t’i realizojë me të gjitha format demokratike, pa përjashtim.

ORCA përforcon edhe njëherë pozicionin e saj të zero kompromisit ndaj çdo avancimi ilegal apo ndonjë forme tjetër të punësimit të stafit akademik jomeritor në Universitetin e Prishtinës duke ndjekur çdo rrugë ligjore në dispozicion.

Ky grant është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), dhe me përkrahjen e projektit Sfidimi i Korrupcionit në Arsimin e Lartë i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Përmbajtja është përgjegjësi e ORCA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K-së, DANIDA-së, KCSF-së apo KFOS-it.