Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim është duke përcjellë me vëmendje zhvillimet në Universitetin e Prishtinës, sidomos mbledhjen e Senatit që do të mbahet ditën e enjte (7 shtator 2017) në të cilën mbledhje është paraparë shfuqizimi i Rregullores për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm. Ky shfuqizim vjen pas padisë së ORCA-s të ushtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë me datë 12 gusht 2017 dhe pas ankesave të palëve të ndryshme lidhur me rregulloren në fjalë.

Rregullorja për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm e miratuar në muajin korrik të vitit 2017 në pikëpamjen e ORCA-s është jashtë statutare dhe jo ligjore. Kjo rregullore ka shpikur një pozitë të re në personelin akademik, atë të të ashtuquajturit “bashkëpunëtorë të jashtëm” i cili do të ketë kompetenca të ngjashme me profesorin mirëpo kontratë me kohë më të shkurtë. ORCA ka ushtruar padi ndaj kësaj rregullore javë më parë dhe do të ushtrojë në të ardhmen për rregullore të ngjashme që përbëjnë shkelje të Statutit të UP-së.

ORCA e njeh nevojën e Universitetit të Prishtinës për rritjen e numrit të personelit akademik mirëpo praktikat jo ligjore dhe jashtë statutare nuk duhet dhe nuk mund të zënë vend në Universitetin e Prishtinës.

Rregullorja e cila pritet të shfuqizohet ka paraparë që të ashtuquajturit “bashkëpunëtorë të jashtëm” të punësohen me vendim të dekanëve, duke shmangur Senatin dhe Komisionin e Studimeve si organi i paraparë me Statut për të vendosur për çështje akademike apo punësim të personelit akademik. Pozita e dekanit e paraparë në Statutin e UP-së është paraparë si pozite menaxheriale dhe kësaj pozite nuk mund t’i mveshen kompetenca akademike siç bënë rregullorja në fjalë.

ORCA mendon se çfarëdo rregullore që parasheh zgjedhjen e personelit akademik nga ndonjë organ tjetër përveç Senatit dhe që i shmanget verifikimit nga Komisioni i Studimeve është në shpërputhje flagrante me Statutin e UP-së dhe Ligjin për Arsimin e Lartë në Kosovë.

ORCA pret që Senati të reflektojë dhe të krijojë rregullore në përputhje me Statutin e UP-së të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe të cilin Senati është i detyruar ta zbatojë. Çdo variant që shmang Senatin në zgjedhjen e stafit akademik përmes Komisionit të Studimeve, të dy trupa të parapara në Statutin e UP-së, përbën shkelje statutare e ligjore dhe në një rast të tillë ORCA do të detyrohet të ushtrojë padi për konflikt administrativ siç ka vepruar deri tash.

ORCA i bënë thirrje ministrit në detyrë dhe akterëve të tjerë të ngrisin shqetësimet e tyre për këtë çështje me qëllim të parandalimit të rënies së cilësisë të arsimit të lartë në Kosovë.

Ky grant është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), dhe me përkrahjen e projektit Sfidimi i Korrupcionit në Arsimin e Lartë i financuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Përmbajtja është përgjegjësi e ORCA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i SCO-K-së, DANIDA-së, KCSF-së apo KFOS-it.