Sot përfaqësuesit e ORCA-s, Rron Gjinovci dhe Gramos Buçinca kanë takuar Ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë zt. Shyqiri Bytyqi me të cilën ndanë shqetësimet për gjendjen në arsim në Kosovë në përgjithësi e në arsimin e lartë në veçanti.

Rron Gjinovci e ka uruar ministrin për detyrën dhe e ka informuar atë për të dhënat shqetësuese që vijnë nga hulumtimet e ORCA-s sa i përket titujve akademik dhe sistemit të avancimeve akademike gjë për të cilën ministri Bytyqi është pajtuar të jetë ndër çështjet e para që do të trajtohen për marrjen e masave preventive me qëllim të ndalimit të degradimit të mëtutjeshëm.

Të dy janë pajtuar se arsimi ka nevojë për reformë të thellë dhe se është e domosdoshme që për këtë punë të hapet një dialog i përgjithshëm shoqëror ku të gjithë akterët do të luajnë rolet e tyre.

Ata janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në nisjen e reformave dhe  nxjerrjen e akteve nënligjore për precizimin e ligjit aktual deri në miratimin e projektligjit për arsimin e lartë për të cilin u dakorduan po ashtu se duhet t’i nënshtrohet diskutimit publik.