ORCA është e shqetësuar me deklaratat e rektorit Marjan Dema i cili është ankuar në medie për ndërhyrje të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në çështjen e avancimeve akademike.

Në rastin më të mirë kjo deklaratë shënon edhe një akt tjetër papërgjegjësie e mungese profesionalizmi, e në rastin më të keq është lojë politike e rektorit e dalë mode e trashëguar nga kohët kur rektori ka qenë politikan.

ORCA qartëson për publikun se është e drejtë ekskluzive e MAShT që t’i precizojë ligjet që rregullojnë arsimin me udhëzime administrative dhe se ORCA e ka kërkuar një gjë të tillë qysh nga viti i kaluar. Neni 26, pika 4 e Ligjit për Arsimin e Lartë kërkon revista me recension ndërkombëtar për zgjedhje në tituj akademik, ndërkaq draft-udhëzimi administrativ precizon pikërisht atë se çka është  një revistë e tillë.

ORCA është e befasuar nga kjo deklaratë e papërgjegjshme pasi në grupin punues për çështjet e avancimeve akademike në të cilin bën pjesë edhe një prorektor, ka pasur pajtim konsensual që kjo çështje të rregullohet me një udhëzim të tillë. Në anën tjetër në takimet intensive të Ministrit me të gjithë akterët gjatë kësaj jave, përfshirë ORCA-n dhe rektoratin asnjëherë nuk janë ngritur shqetësime të tilla nga rektorati.

Së fundi në Universitetin e Prishtinës ka filluar puna për një rregullore që do ta rregullonte çështjen e avancimeve akademike, e cila nga drafti i parë deri në draftin e fundit është banalizuar dhe është shndërruar në një dokument legjitimues të situatës aktuale ku 72% e profesorëve nuk i meritojnë titujt që mbajnë. Thirrja në autonominë e UP-së sa herë që përgatiten veprime anti-ligjore si kjo rregullore është e papranueshme. Autonomi të krimit nuk ka dhe nuk do të ketë. Të tilla autonomi duhen hequr dhe goditur me qëllim të vendosjes së rendit e ligjit dhe ngadhënjimit të interesit publik përballë klaneve që përfaqësojnë interesa të ngushta.

ORCA pret që udhëzimi dhe rregullorja në të ardhmen të përmbajnë 3 elemente kryesore: 1. Platforma serioze për publikime që do të merren parasysh në avancime akademike; 2. Të përjashtohet mundësia e publikimit në revista të dyshimta gjatë avancimeve; 3. Të ketë afat kalimtar pas të cilit të gjitha punimet që do të merren parasysh për avancime të jenë në dy platformat e indeksimit që përdoren në tërë botën: Web of Science dhe Scopus.  ORCA konsideron se çdo version i udhëzimit apo rregullores së Universitetit të Prishtinës që nuk i përmban këto 3 elemente bie ndesh me interesin publik për arsim cilësor.