ORCA i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që ta trajtojë me urgjencë emërimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë i cili do të diskutohet sot në Kuvend.

ORCA rikujton se vetëm pas 3 ditësh, më 19 prill Asambleja e Përgjithshme e ENQA do ta shqyrtojë rastin e Kosovës, statusi i së cilës është propozuar të zbritet nga “anëtar” në “anëtar nën shqyrtim”. Mosemërimi me kohë i anëtarëve të Këshillit Shtetëror i Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim mund të sjellë pasoja për Agjencinë, ndërkaq emërimi dhe përgatitja e mirë e mbrojtjes mund ta evitojë dëmin e mëtutjeshëm për Agjencinë, institucionet e arsimit të lartë dhe studentët e tyre.

ORCA konsideron se hartimi i udhëzimit administrativ për emërimin e këtyre anëtarëve ku ka qenë e përfshirë shoqëria civile dhe spektri politik opozitar si dhe përzgjedhja e anëtarëve nga një komision ku po ashtu ka marrë pjesë shoqëria civile kanë qenë transparente dhe në përputhje me standardet evropiane të kërkuara në dokumentet e ENQA dhe EQAR.

Prandaj, ORCA konsideron se nuk ka arsye për vonesa të mëtutjeshme dhe se vendimi për emërimin e anëtarëve të KShC duhet të merret para 19 prillit që është një datë e rëndësishme për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

ORCA i bën thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës që ashtu siç kanë bërë deri tash lidhur me këtë çështje, të vazhdojnë ta shohin interesin e vendit si prioritar duke lënë anash pakënaqësitë e mundshme partiake.