ORCA fton studentët e Universitetit të Prishtinës të aplikojnë për pjesëmarrje në Shkollën Verore për Aktivizmin Studentor e cila do mbahet më 5 deri 10 shtator në Durrës.

Në këtë shkollë verore studentët do kenë mundësi të ndjekin ligjërata nga akterë të ndryshëm të arsimit të lartë dhe aktivizmit studentor në Kosovë dhe rajon. Gjithashtu në shkollë verore do ketë debate, diskutime, punëtori, kuize etj.

Në fund të shkollës, studentët do të kenë njohje më të thella të situatës akademike në UP; njohuri më të thella për organizimin studentor; për hartimin dhe zbatimin e projekteve; për gjetjen e fondeve me qëllim të pavarësimit të organizatave të tyre nga grupet e kontrollit; për larminë e mundësive të organizimit studentor brenda dinamikës shoqërore.

Organizimi studentor në Universitetin e Prishtinës karakterizohet në njërën anë me formalitete dhe burokraci kur është fjala te përfaqësimi studentor, ndërsa në anën tjetër me kontroll dhe pafuqi kur është fjala te reagimi studentor. Andaj, ne inkurajojmë studentët të aplikojnë sa më parë ngase shkolla verore do i ndihmonte ata të iniciojnë një fryme të re të organizimit studentor e cila do i adresonte nevojat e tyre dhe shoqërisë në përgjithësi.

Në këtë shkollë parashihet të marrin pjesë 30-40 studentë, përzgjedhja e tyre do të bëhet gjatë muajit gusht. Aplikantët do të njoftohen me kohë në rast se janë përzgjedhur për pjesëmarrje.

Vetëm studentët nga Universiteti i Prishtinës, niveli i studimeve themelore – bachelor mund të aplikojnë. Afati i fundit për aplikim është më 10 Gusht në mesnatë.

Të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit do të mbulohen.

Poshtë gjeni formularin për aplikim:

https://docs.google.com/forms/d/1llSXY_6fgWBway4iqfcBVNiQF7ak00fE44Eam9RSWkU/viewform?edit_requested=true

Për ata që nuk kanë qasje në google form, mund të aplikojnë përmes këtij formularit, dhe ta dërgojnë në skord.orca@gmail.com: http://orca-ks.org/sq/2018/07/20/forma-e-aplikimit-per-shkollen-verore-per-aktivizmin-studentor-orca/