ORCA është e lumtur t’i komunikojë publikut se sot Senati i Universitetit të Prishtinës ka futur për herë të parë një revistë në listën e revistave të dyshimta. Kjo revistë, International Journal of Pharmaceutical Sciences Review and Research është thumbuar nga Dr. Rrush Kalaveshi nga Universiteti i Ranillukut (pra nga një person fiktiv), duke publikuar punimin e tij po ashtu fiktiv. Me t’u informuar për këtë çështje Senati ka vendosur të marrë masa.

Në përgjigje të kësaj situate Senati i UP-së ka përjashtuar nga përllogaritja punimet e publikuara në këtë revistë dhe i ka kthyer kandidatët sipas procedurave në Këshill të Fakultetit.

ORCA mendon se kjo është mënyra e duhur për avancim të cilësisë dhe i bën thirrje Ministrit të Arsimit ta mbështesë publikisht vendimin e Senatit për të krijuar një atmosferë të përgjithshme në favor të cilësisë.

Përmirësimi formal i praktikave të njohjes së platformave indeksuese nga Universiteti i Prishtinës përmes rregullores së avancimeve dhe MAShT përmes udhëzimeve si dhe praktikave të mëhershme të zgjedhjes së stafit akademik me ç’rast nga stafi akademik kërkohet të publikohet në revista serioze, ka ndikuar që UP të rangohet më lartë ditëve të fundit në databazat për vlerësimin teknik të Universiteteve.

Megjithkëtë, ORCA vëren disa lëshime në proces të avancimeve në raste të caktuara, por ORCA mbetet e përkushtuar që përmes procesit të ankimimit të ndihmojë në qartësimin e tyre.