Sot ORCA ka publikuar analizën e saj “Analizë e aktivitetit shkencor të profesorëve të Universitetit të Prishtinës sipas CV-ve të publikuara zyrtarisht – 2018”. Në këtë analizë paraqitet numri i punimeve në revista shkencore dhe revista të dyshimta për çdo fakultet dhe në gjithë Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 2017, në UP kanë qenë 1320 punime, ndërsa në vitin 2018 janë 1735.

Ky përmirësim është për shkak të rregullativave të reja si Udhëzimi Administrativ 01/2018 Parimet e Njohjes së Platformave dhe Revistave Ndërkombëtare me Recenzion, dhe Rregullorja 465 Për Procedurat Përzgjedhëse Lidhur me Emërimin, Riemërimin dhe Avancimin e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Përmirësimi shënohet përmes përditësimit të CV-ve nga profesorët si dhe zbutja e kritereve nga këto dy rregullativa.

Përpjesëtuar me numrin e stafit akademik në 2018 që është 465 profesorë, del që një profesor në Universitetin e Prishtinës ka mesatarisht 3.7 punime. Vitin 2017 kjo mesatare ka qenë 2.7. Tre fakultetet me më së shumti punime janë Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, Fakulteti i Mjekësisë dhe Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë. Kjo tregon që në fakultetet e shkencave joekzakte ka mungesë të thellë punimesh shkencore.

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës duhet të trajtojë seriozisht mungesën e punimeve shkencore në shumicën e fakulteteve.

Analizën e plotë mund ta lexoni këtu: http://orca-ks.org/wp-content/uploads/2018/10/Analiza-e-publikimit-shkencor-n%C3%AB-UP_Shqip.pdf