Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, udhëheqësit e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe të universiteteve publike zhvilluan një takim me përfaqësuesit e Clarivate Analytics për të parë mundësinë e abonimit të universiteteve publike në platformat Web of Science dhe Pivot RP.Gjatë këtij takimi, ministrja ofroi mbështetjen e saj për hulumtuesit universitar dhe tha se është e gatshme për ta mundësuar pjesëmarrjen e hulumtuesve kosovarë në platforma elitare si Web of Science, e cila u siguron universiteteve të dhëna të besueshme për aktivitetin shkencor global dhe qasje në lista kredibile të revistave shkencore, si dhe Pivot-RP, platformë që ofron qasje në fonde për hulumtime dhe bashkëpunime në fusha të ndryshme. Pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbenin pyetje dhe mendime me përfaqësuesit e lartë të këtyre platformave.

Takimi u zhvillua në kuadër të projektit HEI’25, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), me kontributin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim, dhe zbatohet nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).