16 grante për mësimdhënie me bazë në hulumtim u ndanë nga MASHTI dhe ADA. Përfituesit e këtyre granteve u mblodhën për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave ku u pritën nga Ministrja Arbërie Nagavci dhe Znj. Rita Glavitza, shefe e zyrës së ADA-s në Kosovë.

Ministrja Nagavci tha: “Është një moment për të reflektuar për projektet e secilit prej jush, për të parë se si do t’i shndërrojmë në projekte që do të kenë një kontribut përtej projektit specifik konkret, por me më shumë përfitim për studentët dhe gjithë ata që janë të përfshirë. Urime të gjithëve për përfundimin me sukses të kësaj faze, me besimin e plotë që do të shënojmë bashkërisht edhe rezultatet pas implementimit të plotë të projekteve tuaja.”

Ndërkaq Znj. Glavitza tha: “Fillimisht, projekti HEI’25 kishte për qëllim të mbështeste 15 grante, por falë përkushtimit dhe mbështetjes së MASHTI-t, u financua edhe një grant shtesë. Ky vendim jo vetëm që dëshmon përkushtimin e palëkundur të MASHTI-t për të forcuar kapacitetet kërkimore në Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë, por gjithashtu nënvizon vlerën e misionit tonë të përbashkët për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë. Projektet tuaja përfaqësojnë të ardhmen e arsimit të lartë në Kosovë dhe ju uroj shumë sukses në zbatimin e tyre.”

11 nga 16 përfituesit e granteve janë gra, një sukses tjetër i kësaj skeme grantesh, realizimi i së cilës u asistua nga projekti HEI’25, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me kontributin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.