Ne nuk do ta lejojmë që Këshilli i Etikës apo kushdo tjetër të bëjë shaka me ne, përmes përgjigjeve absurde se nuk paskan kompetencë apo të bëjë shaka me cilësinë në universitet, prandaj sot, veç e fillojmë vargun e aksioneve, takimeve me organizata studentore, organizata të shoqërisë civile, medie e hisedarë të tjerë relevant, në mënyrë që ditët dhe javët në vazhdim të organizohemi për çkapjen e Universitetit nga mosdija nën kërkesat për:

1. Shkarkimin e menjëhershëm të Këshillit të Etikës;

2. Formimin e një komisioni për verifikimin e plagjiaturave;

3. Formimin e një komisioni për verifikimin e të gjithë titujve akademikë.

——————————————————————————-

Më 8 tetor 2018, ORCA ka dorëzuar para Këshillit të Etikës së UP-së, denoncimin për 8 profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, të cilët janë avancuar me punime në revista mashtruese. 8 profesorët kishin publikuar nga 7 deri në 19 punime secili brenda një periudhe 1 vjeçare e gjysmë. Kjo gjë është e pamundur, nëse për asgjë tjetër atëherë për faktin e thjeshtë se një profesor i inxhinierisë mekanike në Norvegji, arrin të publikojë 0.96 punime në vit, pra as një punim të plotë.

Këta 8 veta u avancuan përmes një grumbulli punimesh. Shumica e punimeve përmbajnë plagjiaturë, gabime në drejtshkrim dhe gramatikë në gjuhën angleze, gjë që e bën të pamundur që ato të botohen në revista cilësore. Megjithatë, revistat ku ishin botuar këto punime ishin të indeksuara në platformën SCOPUS.

ORCA paralelisht me këtë denoncim, më 6 korrik 2018, i është drejtuar SCOPUS për të ngritur dyshimet për revistat.Ndërkohë, ORCA ka zhvilluar një hulumtim të gjerë për të gjitha punimet e profesorëve të denoncuar dhe ka formuar këtë dosje masive prej 492 faqesh, që i është dërguar Këshillit të Etikës. Në këtë dosje ka dëshmi të qarta se në punimet e përmendura të 8 profesorëve, ka kopjim pa citim – pra plagjiaturë, gabime drejtshkrimore e gramatikore, si dhe paraqitje të së njëjtës përmbajtje me dy tituj, si dy punime të ndryshme.

Më datën 23 prill 2019, SCOPUS ka njoftuar ORCA-n se revistat nuk janë më pjesë e indeksimit për vitin 2019 e tutje: “publikuesi [i revistave] është informuar se mbulimi i SCOPUS për të dy titujt nuk vazhdon për vitin 2019 e tutje.”

Ky njoftim nga SCOPUS më 8 maj 2019 iu dorëzua Këshillit të Etikës, por ai nuk përmendet në arsyetimin e vendimit që ka marrë Këshilli i Etikës ditë më parë.

Vendimi i SCOPUS për t’i hequr nga lista për vitin 2019 këto revista shkencore, është mbështetur në vlerësimin për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2017/2018, kur edhe kanë publikuar e kur janë avancuar 8 profesorët.

Pra, tashmë mund të thuhet përtej çdo dyshimi të bazuar se: Ahmet Shala, Ramë Likaj, Azem Kyçyku, Mirlind Bruçi, Naser Lajqi, Nexhat Qehaja, Rexhep Selimaj, Xhevat Berisha, janë avancuar me punime të publikuara në revista mashtruese.

Të gjitha këto prova, nuk i mjaftuan Këshillit të Etikës së UP-së për të marrë masa e as për ta adresuar rastin më tutje. Ata thjeshtë erdhën në përfundimin absurd, se nuk kanë as mandat e as mundësi profesionale për ta kryer këtë punë. Kjo përgjigje është e papranueshme.

Kjo nuk është asgjë tjetër veçse legalizim i avancimeve jomeritore e i plagjiaturës, kjo është thirrje e Këshillit të Etikës dhe përmes tij, e Senatit që njerëzit të angazhohen në plagjiaturë e në mashtrime sepse askush nuk do t’i ndëshkojë. Kjo është gjuajtje në lloç e universitetit.

Prandaj, këtë maskë të bukur që mundohet ta fsheh plagjiaturën dhe avancimin jomeritor, ne po ua heqim dhe do t’ua tregojmë juve dhe publikut fytyrën e vërtetë të Universitetit. Kjo fytyrë është me lloç sepse universiteti është hedhë përtoke nga Këshilli i Etikës dhe vet profesorët e Universitetit.