Në prag të zgjedhjeve ORCA ka kryer një hulumtim që tregon lidhjen e problemeve të arsimit me procesin zgjedhor.
ORCA ka hulumtuar se cilët kandidatë të listave për deputetë, nga të gjitha partitë në garë, punojnë edhe në universitete publike si profesorë apo asistentë dhe rezultati është ky:
PDK ka 11 kandidatë;
LDK ka 11 kandidatë;
AAK-PSD 8 kandidatë;
VV 5 kandidatë që punojnë si profesorë apo asistentë në universitete publike.
Ky numër i madh kandidatësh prej 35 vetash që punojnë si profesorë dhe asistentë në universitete publike është shqetësues për 3 arsye:
E para: Puna si profesor apo asistent në universitet kërkon përkushtim të madh. Ajo është punë me orar të plotë prej 8 orësh. Është e pamundur që dikush ta kryejë këtë punë mirë, kur ai/ajo ka një angazhim po ashtu shumë me rëndësi siç mund të jetë ai i deputetit të Republikës, apo i funksionarit tjetër shtetëror a partiak.
E dyta: Është në rastin më të mirë joetike e në rastin më të keq abuzive, që në një vend ku papunësia te të rinjtë është 54%, që i bie që çdo i dyti nga radhët tona është i papunë, një funksionar shteti t’i marrë 2 e më shumë paga nga buxheti i shtetit. Na lejoni t’ju rikujtojmë se paga e deputetit është një nga pagat më të larta në vend që merret nga buxheti i shtetit, njësoj është edhe ajo e profesorit në universitet, dhe po ashtu, paga e zyrtarëve të partive merret nga buxheti i shtetit pasi partitë financohen nga shteti.
Dhe arsyeja e tretë: Sepse deputetët dhe qeveritarët që punojnë edhe në universitet, janë vet politizimi i arsimit. Nga e kaluara e kemi parë se çfarë prodhon përbërja e një kuvendi dhe qeverie me persona që punojnë edhe në universitet. Ata në mandatet e kaluara e kanë bërë pikërisht ligjin aktual, ABSURD, për parandalimin e konfliktit të interesit, në favor të tyre. Ky ligj u lejon atyre të punojnë, apo më mirë të them, të mos punojnë por të paguhen për 2, 3 e më shumë vende pune me të ardhura që kapin vlerat e mbi 4000 Eurove në muaj, ndërkohë që 15% e qytetarëve jetojnë në varfëri të skajshme.
Thënë këto, ORCA konkludon se pavarësisht pallavrave të partive për luftën kundër punësimeve nepotike e partiake, realiteti që shihet në listat e tyre është ndryshe. Ato vazhdojnë të mos pajtohen me kapjen e institucioneve arsimore nga partitë kundërshtare, por jo nga anëtarët e partive të veta.
Më e pakta që ato mund të bëjnë tash në prag të zgjedhjeve është:
Nën 1. T’i bëjnë kandidatët e tyre të deklarohen se në rast se zgjidhen deputetë ata do të tërhiqen nga puna në arsim.
Dhe nën 2. Partitë duhet të deklarohen në këto zgjedhje se a do ta ndryshojnë ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, ashtu që të mos u lejohet më asistentëve dhe profesorëve të jenë edhe deputetë e zyrtarë të tjerë shtetëror.
ORCA u bënë thirrje qytetarëve që t’i mbajnë përgjegjëse partitë për këtë çështje, ndërkohë ORCA mbetet e përkushtuar që ta demaskojë hipokrizinë, mashtrimet dhe abuzimet.
.
Comments are closed.