Sot studentë të Universitetit të Prishtinës, të përkrahur nga Organizata për Rritjen e Cilësisënë Arsim (ORCA), kanë protestuar në oborrin e rektoratit për të kundërshtuar avancimin e një profesori i cili dyshohet për disa shkelje të rënda disiplinore, përfshi edhe sulmin seksual.

Tubimi protestues është mbajtur kundër një profesori nga Fakulteti i Mjekësisë i cili pritet të avancohet në gradën e profesorit të rregullt. Ndaj këtij profesori janë tri akuza secila më e tmerrshme se tjetra: për plagjiaturë, për faslifikim dhe për ngacmim seksual ndaj një studenteje specializante.

Kërkesat e tubimit protestues ishin:

1. Suspendimi i profesorit deri në përfundimin e hetimeve.

2. Hetimi i brendshëm për të gjitha akuzat ndaj tij të bëra për a. plagjiaturë, b. falsifikim dhe c. ngacmim seksual.

Profesori në fjalë në mbledhjen e fundit të Senatit nuk është avancuar, por është kthyer sipas procedurave për rishqyrtim, për shkak të akuzave dhe për shkak të presioneve që kemi bërë ne si organizatë dhe Kallxo.com.

Rasti i tij do të jetë sërish në Senat. Prandaj ne kemi protestuar dhe do vazhdojmë të protestojmë deri në plotësimin e kërkesave.