Asnjë qeveri nuk ka pasur vizion të zhvillimit ekonomik përmes arsimit. As kjo nuk ka, fatkeqësisht. Ka vetëm një rrugë të sigurtë për zhvillim ekonomik e shoqëror të një vendi si Kosova, një dhe vetëm një rrugë, ajo e arsimit.
Qeveria aktuale pati premtuar veting në arsim. Veting nuk ka. Pati premtuar zhvillim ekonomik në bazë të prodhimit, atë nuk po e shohim. Institucionet e Arsimit të Lartë janë shndërruar në diplomore që lëshojnë diploma pa karar. Të diplomuarit nuk kanë aftësi pune që kërkohen në treg. Institucionet e arsimit të lartë publik janë strehimore për të papunët potencialë, qoftë në radhët e stafit akademik, qoftë në radhët e studentëve që humbin kohën në studime pa rezultat. Institucionet private të arsimit të lartë më shumë u ngjajnë grupeve të krimit të organizuar, ku zhvaten dhjetëra miliona çdo vjet nga regjistrimet masive, diplomimet masive, duke disbalancuar komplet cilësinë në arsim në vendin tonë. Dhe kush paguan? Studenti, i riu i papunë, i riu i paaftë, që është mashtruar në një sistem të dizajnuar për ruajtjen e paqes sociale e jo zhvillimin shoqëror.
95 mijë student aktualisht studiojnë në Kosovë. Shifrat zyrtare të papunësisë thonë se 49% të këtyre të rinjve pra deri në moshën 24 vjeçare, nuk punojnë, pra çdo i dyti. Kjo është gjendje e jashtëzakonshme, por asnjë masë e jashtëzakonshme nuk po merret e as që është marrë nga kjo qeveri.
ORCA kërkon me ngulm, që të ndalohen bizneset në arsimin e lartë. T’u lejohet veprimtaria vetëm institucioneve jofitimprurëse. Gjithçka që nuk është publike, duhet të jetë të paktën jofitimprurëse.
ORCA i bën thirrje Qeverisë që të fillojë një konsultë kombëtare gjithëpërfshirëse për të përcaktuar vizionin e zhvillimit shoqëror e ekonomik përmes arsimit. Strategjitë e përsëritura për më shumë se një dekadë nuk kanë prodhuar asgjë. As që do të prodhojnë diçka, sepse pa ditur çka duam, nuk mund të dijmë si e duam. Askush nuk di të tregojë sot si do të jetë shoqëria jonë pas 20 vitesh, as pas 50, këtë nuk e di as kryeministri, asnjë politikan, nuk e di askush. Pa iu përgjigjur pyetjes si do të duket Kosova pas 20, 50, 70 e 100 vitesh, asnjë strategji nuk do të japë rezultat. Prandaj, na duhet vizioni menjëherë. Tash është vonë, dje ishte vonë, para 1 viti ishte vonë, por duhet të fillojmë dikur. Përndryshe, liberalizimi i vizave, aq i dëshiruar do të jetë momenti i një eksodi masiv të të rinjve, pasurisë së vetme të Kosovës.
Comments are closed.